Përvjetori ndryshe i Pavarësisë së Kosovës

13 vjet më parë Kosova ishte lajmi i të gjitha mediave botërore. Vëmendja e madhe mediatike dëshmohej me mbi 2000 gazetarë të huaj që qëndronin në kryeqytetin e Kosovës.

Po ndodhte ajo që shqiptarët e prisnin me shekuj, ngjarja më e rëndësishme për popullin që prej çlirimit të vendit në 1999. Kosova po shpallej shtet i pavarur.

Lexo Edhe:

Veton Surroi ua uron te gjithëve pavarësinë, e harron vetëm edhe Xhevdet Hamzen dhe ca zyrtarë të tjerë të OZNA’s famëkeqe

Mot i ftohtë ishte në Kosovë në ditën e 17 shkurtit të 2008-ës, por jo për t’i ndalur njerëzit që nga të gjitha anët të mbushnin rrugët në shenjë feste për atë që po ndodhte.

Ani pse askush nuk e kishte idenë si do të dukej flamuri i Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë, qytetarët e dinin se po hapej rruga për të jetuar në një shtet të pavarur, të cilin e kishin ëndërruar me gjenerata.

Rrugëve nëpër të gjitha qytetet e Kosovës valëviteshin flamuj kuq e zi dhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve që ndihmuan në çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Ajo që binte në sy ishte fotografia e komandantit legjendar, Adem Jashari, me mbishkrimin “Bac u kry”, fjali kjo që do të bëhej një prej sloganeve më të njohura prej atëherë deri në ditët e sotme.

Derisa rrugët ishin plot, pasditen e 17 shkurtit deputetët u mblodhën në sallën e Kuvendit. Seanca e jashtëzakonshme u mbajt me kërkesë të presidentit dhe kryeministrit të vendit.

Atë kohë drejtonin institucionet kryesore në vend, Fatmir Sejdiu president i Kosovës, Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi kryeministër. Madje ky i fundit pati fatin të lexojë deklaratën e plotë të Pavarësisë së Kosovës.

Mbledhja solemne nisi në orën 15:00 për të kulmuar me deklaratën kryesore pastaj në 15:39 minuta. Atë e nënshkruan pastaj 109 deputetët e pranishëm në sallë.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur Demokratik”, lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

“Kosova po e hap sot një faqe të re të historisë dhe po e ndërron hartës politike të Evropës, duke lënë pas kujtimet e hidhura të urrejtjet dhe konflikteve tragjike që i përjetuam ne po hymë ne epokën e Pavarësisë, të paqes dhe përparimit të vendit tonë”, deklaroi kryeparlamentari i atëhershëm Jakup Krasniqi.

Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi, dy prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të politikës së pasluftës në Kosovë, sivjet për të parën herë nuk marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Që prej shpalljes së Pavarësisë, Thaçi nuk iu nda skenës politike, me poste qeveritare e së fundmi komandant suprem i ushtrisë së Kosovës.

Por, që prej nëntorit të vitit 2020 Thaçi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, në Gjykatën Speciale të cilën vet deputetët e Kuvendit të Kosovës e votuan në gusht të 2015-ës, dhe e njëjta ka mandat të hetojë krimet e pretenduara të luftës në Kosovë.

Formimit të Speciales i parapriu një rezolutë në Këshillin e Evropës që kërkonte hetim mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty. Ai pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Bashkë me Thaçin e Krasniqin në Hagë janë edhe ish-luftëtarët Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Salih Mustafa.

Përveç kësaj, përvjetori i sivjetmë i Pavarësisë së Kosovës e gjen vendin të sapo dalë nga zgjedhjet parlamentare dhe me një qeveri në detyrë.

Javët në vazhdim pritet të shënohen me formimin e institucioneve të reja nga partia e Albin Kurtit, që është fituese e zgjedhjeve që u mbajtën më 14 shkurt.

Rikujtojmë se në vitin 2005, Sekretari i atëhershëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.

Në linjë me Planin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Edhe pse Pavarësinë e Kosovës, deri më tani e kanë njohur mbi 100 shtete të botës, përfshirë së fundmi edhe njohjen nga Izraeli, me bllokimin e Rusisë, mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *