U zhdukën pa gjurmë 50 vite më parë, policia australiane edhe sot i kërkon tre fëmijët dhe pranon telefonata lidhur me “vendndodhjen” e tyre

Para më shumë se gjysmë shekulli, opinioni në Australi u habit dhe frikësua me rastin e tre fëmijëve të zhdukur të familjes Beaumont.

Deri asokohe banorët e Adelaide i mbanin dyert e shtëpisë të hapura (pa çelës të mbyllura) dhe udhëtonin me personat e panjohur (autostop) e çdo të huaj e shihnin si një mundësi të mirë për një bisedë të këndshme, transmeton Telegrafi.

Për këtë nuk ka qenë e pazakontë që familja Beaumont i lejoi fëmijët e saj Jane, Arnna dhe Grant që të shkojnë vetëm në plazh jolarg shtëpisë, ku jetonin në Adelaide të Australisë gjatë janarit të vitit 1966.

Fëmija më i madh i familjes Jane ishte 9-vjeçare, dhe nëna e tyre kishte vlerësuar se është mjaftueshëm e madhe që të kujdeset për Arnna që i kishte 7 vjet dhe Grantin, 4. Ishte shumë pak e pazakontë për fëmijët gjatë viteve të 60-ta dhe dukej se asgjë e keqe nuk mund t’ju ndodhte.

Ishte mëngjesi i 25 janarit të vitit 1966 dhe ishte festë shtetërore. Pasi që ishte shumë nxehtë për të ecur, u futën në autobus që për pesë minuta i dërgoi në plazh. Treshja zbritën nga autobusi – dhe prej asaj kohe janë zhdukur pa as edhe një gjurmë!

Nancy shpresonte që fëmijët të kthehen pasdite, e kur nuk u kthyen as me autobusin që kalonte para shtëpisë së tyre pothuajse çdo dy orë – filloi të brengoset, e bashkëshorti i saj Jim që u kthye nga puna që punonte si taksist i tha se duhet të shkojnë në plazh për t’i kërkuar.

Pasi që u kthyen pa ndonjë lajm për fëmijët, vendosën të vizitojnë shtëpitë e miqve dhe t’i kërkojnë vogëlushët nëpër rrugë duke shpresuar se mund të gjenden diku mes shtëpive dhe plazhit – por pa ndonjë sukses. Rreth orës 5:30 pasdite njoftuan edhe policinë.

Inspektorët shpejtë organizuar operacionin e kërkimit, por dukej sikur Jane, Arnna dhe Grant ishin zhdukur nga faqja e dheut. U konstatua se fëmijët atë ditë rrugës për në plazh kishin pasur me vete 17 gjësende  – përfshirë rroba, peshqirë, valixhe, por asnjë prej tyre nuk është gjetur.

Në ditën e zhdukjes, disa dëshmitarë në plazh kishin parë fëmijët me një burrë trupgjatë – biond rreth moshës 30-40 vjeç. Fëmijët dukeshin shumë të relaksuar derisa po bisedonin me të – dhe krijohej përshtypja që ata njiheshin prej kohësh. Nuk ka pasur ndonjë shenjë se aty janë kundër vullnetit të tyre

Një grua i kishte thënë policisë rreth pasdites derisa po qëndronte e ulur në plazh, kishte parë tre fëmijë duke vrapuar në drejtim të oqeanit dhe më pas duke bërë dush për ta hequr kripën nga trupi.

Mes tyre qëndronte një burrë dhe fëmijët luanin me të. Kur dëshmitarja u ngrit në këmbë dhe shkoi te një ulëse, konstatoi se grupi ishin ende në plazh.

E rrëfimin e kësaj gruaje e kanë konfirmuar një çift, duke shtuan se kishin parë burrin duke i veshur fëmijë dhe se katërshja u larguan në drejtim të autobusit. Askënd prej dëshmitarëve nuk i bënë të mendonin se ata nuk e njihnin burrin dhe se po largoheshin me vetëdëshirë.

Por problemi me këta dëshmitarë qëndron se asnjë prej tyre nuk kanë mundur me siguri të plotë të konfirmojnë që fëmijët që i kanë parë janë pikërisht ata – Beaumont. Ka mundur të jetë fjala për këdo.

Nancy dhe Jim i kanë përshkruar fëmijët e tyre si të turpshëm. Të flasin me person të panjohur, e lërë më të luajnë – u është duke e pakuptimtë! E policia ka spekuluar se fëmijët mund ta kenë njoftuar burrin gjatë shkuarjeve të mëhershme në plazh dhe kështu ka fituar besimin e tyre.

Ky rrëfim filloi të tingëllojë si i vërtetë, pasi që Nancyt iu kujtua se si para kësaj ngjarje Arnna i kishte thënë me një dozë shakaje se si “Jane ka të dashur në plazh”. Në atë moment kjo nënë mendoi se bëhet fjalë për ndonjë mik me të cilin po luajnë, dhe nuk i kushtoi rëndësi të madhe derisa ata u zhdukën.

Megjithatë, prindërit pretendonin se i kishin mësuar fëmijët që të mos flasin me persona të panjohur, madje edhe nëse e kanë bërë një gjë të tillë, nuk ka gjasa ata nuk do të lejonin që një i panjohur t’i vesh.

E pasi që nuk hasën as edhe te një gjurmë të tyre që do të zbulonte se çfarë ka ndodhur me fëmijët, policia i bëri thirrje qytetarëve duke u ofruar një shpërblim të majme për këdo që ka informacione që do të ndihmonte në gjetjen e fëmijëve. Aty filluan menjëherë telefonatat e para.

Fëmijët janë parë duke blerë byrek. Tre fëmijë janë parë në cep të rrugës jo larg marketit duke biseduar me tre persona të rritur… Të tjerët ishin të bindur se fëmijët kishin ngrënë akullore jolarg plazhit… E një tjetër tha se i ka parë duke ecur në drejtim të shtëpisë…

Rasti shpejtë fitoi vëmendjen edhe jashtë kufijve të Australisë. Në nëntor të po të njëjtit vit, një para-psikolog holandez – Jerar Kroaset pretendonte se mund të ndihmojë, kështu udhëtoi drejt Australisë për t’u njoftuar nga afër me rastin. Doli të jetë se as ai nuk arriti të ndihmojë sepse ndërronte historinë e rrëfimit çdo ditë.

Kështu policia filloi t’i kërkojë edhe nëpër gypat e kanalizimit, pasi para-psikologu holandez pretendonte se nën gypa gjenden trupat e pajetë të fëmijë. Por, aty nuk kishte asgjë.

Pas kësaj, Kroaset pretendonte se po i “sheh” pjesët e trupit të fëmijëve të fshehura nën fasadën e një ndërtesë jo larg shtëpisë së tyre. Në kohën kur ata ishin zhdukur, aty kryheshin disa punime dhe ai besonte se trupat e vajzave dhe djalit janë fshehur nën pllakën e betonit.

Pronarët e ndërtesës natyrisht që nuk ishin të kënaqur për ta shembur ndërtesën për t’u siguruar që fëmijët mund të jenë aty – por pas presionit të opinionit lëshuan pe. Megjithatë trupat e tyre nuk u gjetën, as edhe një gjurmë e tyre nuk ishte, e holandezi me fytyrë të skuqur u rikthye në vendlindje.

Por, policia australiane për as edhe një moment nuk u ndal duke i kërkuar. Disa vrasës serik të këtij shteti cilësoheshin si të dyshuar për rrëmbimin e tyre, por kurrë nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë lidhje me rastin.

E pavarësisht dekadave që kanë kaluar, policia në Adelaide thotë se çdo katër ditë pranojnë telefonata me pretendimet e qytetarëve se kanë informacione për fëmijët e zhdukur. Në vitin 2018 ishte vënë një shpërblim prej një milion funteve për këdo që ka informacione që do të ndihmonte në zgjidhjen e këtij rasti të vjetër.

Pas shumë viteve trishtim e lot, Jim dhe Nancy u ndanë, kurse ekspertët besojnë që Jane, Arnna dhe Grant prej kohësh kanë vdekur e dyshja kanë vendosur të jetojnë në të njëjtin qytet me shpresën që një ditë fëmijët do të rikthehen në shtëpi.

Megjithatë, Nancy ndërroi jetë në shtator të vitit 2019 kur edhe mbushi 92 vjet e Jim është ende gjallë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *