Ylli Hoxha dhe Albin Kurti kanë njohje të moçme, shumë të moçme. Njohja e tyre daton nga shekulli XX, atëherë kur Kosova ishte e nënshtruar ndaj Jugosllavisë. Shoqëria nga kohët jugosllave i ka mbizotëruar kohës, përkundër ulje-ngritjeve të natyrshme. Shumë ujë ka kaluar nën urë që nga atëherë, por shoqëria e moçme me Kurtin duket se i ka lënë mbresa Hoxhës. Pse?
Ylli Hoxha, analist i përhershëm në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, dje foli relativisht gjatë në lidhje me gjendjen e arsimit në Kosovë. Më saktë, Hoxha i komentoi rezultatet katastrofale të nxënësve kosovarë në testin PISA, ku Kosova u rendit gati në vendin e fundit.
Por në hyrje të analizës së tij mbi arsimin në Kosovë, Hoxha u kthye prapa, shumë prapa në histori. Ai u kthye në vitet e 80-ta, kur Hoxha e Kurti ishin fëmijë, filloristë. Në këtë kontekst, Hoxha ka bërë një deklaratë interesante.
Duke tentuar të shpjegojë pritshmërinë e tij nga Qeveria Kurti në lidhje me arsimin, ai e ka shpjeguar njohjen e tij me kryeministrin Albin Kurti. Duke qenë të dy të Prishtinës, njohja mes Hoxhës e Kurtit është e hershme, pra e moçme. Dikur ishin edhe bashkëpartiakë në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa sot Hoxha është nganjëherë i afërt me qëndrime me Qeverinë e Kurtit.
Në rrëfimin e Hoxhës mbi njohjen me Kurtin, kryeministri del si një fillorist i zënë me mësime, por edhe si nxënës entuziast. Përveç i zënë me mësime, duket se Kurti, gjithnjë sipas rrëfimit të Hoxhës, gjithmonë ka qenë i shoqëruar me libra.
“Tu e njoftë, në rend të parë, kryeministrin prej fëmijërisë, për shkak se kemi qenë me një lagje, nëse e kam pasë një pritje kështu intimisht që s’e kam shprehur prej tij ose prej qeverisë ku ai do të jetë, ka qenë që nëse kurgjo s’mundet me bë, në arsim ka me bë diçka. Ka me ia shti “grabujën” dhe ka me ndreq, përshtypjen e kam pasur prej një nxënësi shumë të mirë, entuziastë, që ka marrë pjesë nëpër gara, gjithmonë e ke pa me do libra, bisedat me të gjithmonë kanë qenë intelektuale, nuk ke mujtë me bo ndonjë far muhabeti shoqëror të tipit “a po dalim me lujtë” – tha analisti Hoxha.https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdukagjinidebatplus%2Fvideos%2F220623517651353%2F&show_text=true&width=380&t=0
Nuk dihet nëse Hoxha ndonjëherë do të ulet e t’i shkruajë kujtimet mbi njohjen me Kurtin, njeriun politikisht më të rëndësishëm në Kosovë aktualisht. Megjithatë, nëse vendosë që t’i shkruajë kujtimet, atehërë Nacionale është e gatshme t’i propozojë një titull.
“Albin Kurti në vetën e parë” – do të mund të ishte një titull interesant për librin e Hoxhës mbi fëmijërinë e Kurtit, ku do të mund të intervistohej edhe Kurti. Ndoshta një lloj biografie ose rrëfimi përmes pyetje-përgjigjeve. Përkundër që ngjan me titullin e librit të Veton Surroit, “Fadil Hoxha në veten e parë”, besohet se Hoxha, për shkak të njohjes së lashtë me Surroit, nuk do ta kishte problem t’ia vendoste këtë titull librit të tij.